Nga: Dashnim HEBIBI
Pushimet verore kanë nisur në Zvicër
Zürich, 05 Korrik 2025 – Prej sot, në disa kantone të Zvicrës kanë filluar pushimet verore — një kohë e shumëpritur, veçanërisht për familjet me fëmijë në shkollë. Në kantonin e Solothurnit, St.Gallen, Gjenevë dhe disa kantone të tjera, viti shkollor përfundoi dje më 4 korrik, ndërsa në kantone të tjera si Cyrihu, pushimet fillojnë më 12 korrik.
Që nga mbrëmë, shumë bashkatdhetarë kanë filluar rrugëtimin drejt atdheut. Sipas burimeve tona, në kantonin e Solothurnit u panë dhjetëra familje që u nisën menjëherë pas përfundimit të shkollës. Gëzimi në sytë e tyre ishte i dukshëm — i ndjerë, i thellë, i merituar. Sidomos fëmijët që kanë marrë nota të mira, sollën krenari dhe emocion në zemrat e prindërve të tyre.
Në orët e para të mëngjesit, ata që kanë zgjedhur të udhëtojnë me vetura duhet të përgatiten për kolona — pritje të gjata janë paralajmëruar veçanërisht në Kroaci. Ndërsa mbrëmë, për ata që synonin të kalojnë nga Italia, udhëtimi u bë i pamundur për shkak të një problemi teknik në tunelin më të gjatë të Evropës, Gotthard.
Në aeroportin e Cyrihut, që nga ora 3 e mëngjesit, ka gjallëri e emocion. Radhët e gjata janë mbushur me fytyra shqiptare që presin avionët e parë drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Mërgimtari pushimin nuk e pret veç për pushim e pret si diellin pas një dimri të gjatë. Atdheu s’e thërret me fjalë, por me ndjenjë.
Me erën e lagjes, me zërin e një nate shqiptare.
Në valixhe merr dhurata, por mban dhe mallin. Fotot e fëmijërisë në sytë e vetes i ngjallin. Rrugët e gjata nuk janë të lodhshme kur zemra është plot, Se vendi i lindjes e pret me lule e lot.
Pushime të mbara për të gjithë mërgimtarët tanë!
Udhë të mbarë dhe përqafime të ngrohta në atdhe!
(Foto ilustrim)
SAM24.info