Instituti Kombëtar I Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP)u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar, në kohën kur variantet e Omicron BA.1 dhe BA.2 të koronavirusit po vazhdojnë të përhapen.
Në një postim në Facebook thuhet se qytetarët duhet të vaksinohen dhe të vazhdojnë të mbajnë maska, distancën sociale, higjienën, të shmangin udhëtimet e panevojshme, të qëndrojnë në shtëpi dhe të ajrosin ambientet e mbyllura.
IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik, andaj të gjithë personat me kokëdhimbje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.
Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, IKSHPK apelon për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare.
Ndryshe, në 24 orët e fundit 16 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 nga 830 testime, dy persona kanë vdekur, 76 janë shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 597.





