Një mbrëmje të mbushur me emocione dhe reflektim, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, nën kujdesin e Konsullit z. Vigan Berisha, organizoi shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo” në ambientet e GZ Seebach – Landhus Saal, Zürich.
Ky dokumentar, me regji të Julius Strauss dhe Vaughan Smith, sjell në ekran një histori prekëse dhe të paharrueshme — rrëfimin jetësor të Besnik Deliut, një fëmijë që mbijetoi nga një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Përmes pamjeve autentike dhe intervistave të sinqerta, “Return to Kosovo” është më shumë se një dokumentar: është një dëshmi e gjallë e dhimbjes, qëndresës dhe forcës shpirtërore të një populli që nuk u dorëzua.
Në këtë ngjarje morën pjesë figura të njohura të komunitetit shqiptar në Zvicër, ndër ta:
Fadil Asani, Kryetar i Xhamisë “Drita” në Luzern dhe Visar Robelli, Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore.
Dokumentari ndriçon gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të gazetarit britanik Julius Strauss, i cili solli para syve të botës realitetin tragjik të asaj periudhe, si dhe përkushtimin e Ymerit, njeriut që u bë simbol i kurajos dhe mbështetjes për Besnikun dhe shumë të tjerë.
Ky organizim ishte një kujtesë e fortë se liria e Kosovës nuk ishte as dhuratë e as rastësi — ajo u fitua me gjak, sakrificë dhe zëra që guxuan të flasin.
Rëndësia e diplomacisë kulturore në mërgatë
Ngjarje të tilla përbëjnë një formë të fuqishme të diplomacisë kulturore, e cila forcon lidhjet ndërmjet shtetit amë dhe mërgatës, duke ndikuar në mënyrë pozitive edhe në perceptimin ndërkombëtar të historisë dhe identitetit tonë kombëtar. Përmes artit, filmit dhe kujtesës historike, komunitetet shqiptare në mërgatë jo vetëm që ruajnë rrënjët e tyre, por bëhen edhe zëdhënës të denjë të së vërtetës, duke ndërtuar ura mirëkuptimi me shoqëritë pritëse./albswiss.com/
Foto: Florim Useini






