Bernë, Korrik 2025 – Futja e injeksionit për humbje peshe në sigurimin bazë shëndetësor në Zvicër që nga viti 2024 po sjell një barrë financiare të konsiderueshme për sistemin. Ekspertët dhe politikanët po e vënë në pikëpyetje nevojën për mbulimin e këtij ilaçi nga sigurimi bazë, ndërsa kompanitë e sigurimeve paralajmërojnë për rritje të mëtejshme të kostove.
Sipas raportimeve, ilaçi po shkakton 300 milionë franga shtesë në vit për sigurimet shëndetësore. Ai mbulohet nga sigurimi vetëm në rastet kur është i përshkruar nga mjeku dhe për pacientë me mbipeshë të rëndë ose shumë të rëndë, gjithmonë në kombinim me aktivitet fizik dhe rregullim të ushqimit.
Kjo terapi, fillimisht e zhvilluar për diabetin, është kthyer në trend global për uljen e peshës, përfshirë edhe Zvicrën. Kërkesa e lartë ka shkaktuar mungesa në treg, pasi vetëm një substancë është e miratuar.
Politikanët kërkojnë transparencë dhe rishikim të vendimit. Damian Müller nga FDP tha për mediat zvicerane: “Për shkak të kostove të larta që mbulohen nga të gjithë kontribuesit me prima, është thelbësore që të shqyrtohen me kujdes kriteret e efektivitetit, arsyeshmërisë dhe efikasitetit ekonomik.”
Kompanitë e sigurimeve, përfshirë CSS, Groupe Mutuel dhe Helsana, shprehen skeptike për përfitimet afatgjata të këtij ilaçi dhe theksojnë se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar parandalimin e sëmundjeve të tjera si rezultat i përdorimit të tij.
Zyra Federale për Shëndetësi (BAG) ka deklaruar se vendimi nuk është marrë me nxitim dhe se kriteret janë shqyrtuar me kujdes. BAG njofton gjithashtu se do të vëzhgojë nga afër efektet dhe do të bëjë një rivlerësim para skadimit të afatit të vlefshmërisë, transmeton 20min.ch