Serbisë i pengon ngritja e flamurit kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, ngrit padi ndaj Ragmi Mustafës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa ka njoftuar se dje ka pranuar ftesën e radhës nga gjykata e Vranjës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020.
Mustafa ka shkruar në Facebook se si herave të tjera, akuzohet për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”.
“Kjo padi ndaj meje ngritet pasi që kam deponuar ankesën në Gjykatën e Apelit ndaj aktvendimit të Gjykatës së Lartë për padinë time ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin, për përdorim të gjuhës nënçmuese, fyese, gjuhës së urrejtjes, gjuhës kriminalizuese e denigruese ndaj shqiptarëve. Aktvendimi i fundit i Gjykatës së Lartë që ‘legalizoi’ institucionalizimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, si dhe përndjekjet ligjore që pasuan pas padisë sime ndaj Ministrit të Policisë Vulin, dëshmojnë motivet politike të sistemit gjyqësor e prokurorial në Serbi. Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë presionet politike dhe ligjore të pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës”, ka shkruar ai.
Mustafa ka ftuar Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizatën për Siguri e Bashkëpunim Evropian që mos t’i mbyllin sytë ndaj pushtetit autoritar dhe anti-minoritar në Beograd.
“Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi. Duke mos u zbrapsur politikisht, Këshilli Kombëtar Shqiptar do ta vazhdojë betejën ligjore, deri në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg”, ka shkruar.