SHBA-ja miraton vaksinën e Johnson & Johnson – Alb'swiss TV
Alb'swiss TV
Lajme

SHBA-ja miraton vaksinën e Johnson & Johnson

shba-ja-miraton-vaksinen-e-johnson-&-johnson

Rregullatori për barna në Shtetet e Bashkuara ka miratuar për përdorim vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Johnson & Johnson. Kjo vaksinë administrohet përmes një doze të vetme.

Kjo është vaksina e tretë që është miratuar në SHBA kundër koronavirusit, pasi në këtë shtet tashmë janë miratuar për përdorim vaksina e Pfizer/BioNTech dhe ajo e kompanisë Moderna.

Vaksina Johnson & Johnson thuhet se është më e lirë se dy vaksinat e tjera që po përdoren në SHBA dhe po ashtu mund të ruhet në frigoriferë normalë dhe jo në temperatura ultra të ftohta.

Kjo vaksinë prodhohet nga firma belge, Janssen. 

Sipas studimeve, kjo vaksinë është 66 për qind efektive ndaj sëmundjes COVID-19. Kompania është pajtuar që ta furnizojë SHBA-në me 100 milionë doza deri në fund të qershorit. Dozat e para për publikun amerikan pritet të jenë të qasshme javën e ardhshme. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë porositur doza të kësaj vaksine dhe 500 milionë doza gjithashtu janë porositur për programin COVAX.  

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mirëpritur këtë lajm “inkurajues”, por i ftoi amerikanët që të vazhdojnë të respektojnë rregullat kundër pandemisë, siç është mbajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe protokollet e tjera shëndetësore.

“Siç e kam thënë edhe herë të tjera, situata mund të përkeqësohet sërish teksa variantet e reja po përhapen dhe përmirësimi i situatës që kemi tani, mund të ndryshojë”, tha presidenti Biden.

Sipas rezultateve të provave të kryera në SHBA, Afrikë të Jugut dhe Brazil, kjo vaksinë shfaqi efektivitet prej 86 për qind në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe ishte 66 për qind efektive në përgjithësi, ku përfshiheshin edhe rastet me sëmundje të moderuar.

Në studimet klinike të kësaj vaksine nuk është raportuar për të vdekur në mesin e pjesëmarrësve që e kanë marrë këtë vaksinë dhe asnjë nga pjesëmarrësit e studimit nuk është shtruar në spital 28 ditë pas marrjes së vaksinës.

Megjithatë, sipas studimit, kjo vaksinë ka shfaqur më pak mbrojtje në studimet e kryera në Afrikë të Jugut dhe Brazil, vende këto ku variantet e reja të COVID-19 janë dominante, por vaksina ka ofruar mbrojtje ndaj rasteve me sëmundje të rëndë.

Vaksina e Johnson & Johnson mbart pjesë të kodit gjenetik të koronavirusit. Ky kod gjenetik është i mjaftueshëm që trupi ta kuptojë rrezikun dhe të mësohet se si ta luftojë koronavirusin. Kjo gjë, sipas shkencëtarëve, e mëson sistemin imunitar të një personi se si ta luftojë koronavirusin nëse infektohet me të.  Të njëjtën metodë përdorë edhe vaksina e kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it.

Vendimi i rregullatorit të barnave në SHBA për ta miratuar për përdorim emergjent vaksinën e Johnson & Johnson vjen në kohën kur ky shtet ka regjistruar mbi 508.000 viktima nga koronavirusi. Megjithatë, numri i rasteve të reja në baza ditore ka rënë, si dhe numri i të hospitalizuarve.

Por, përhapja e varianteve të reja të virusit, që besohet se janë më ngjitës, vazhdon të jetë shqetësueses për autoritetet. I ashtuquajturi varianti britanik i COVID-19, me shumë gjasa do të bëhet varianti dominat në SHBA në muajin mars.

Varianti britanik, i njohur edhe si .1.1.7, është duke u përhapur me shpejtësi në Evropë, duke rritur shqetësimet për një valë të tretë të pandemisë në disa shtete, ku fushatat e vaksinimit po vazhdojnë.

Shtetet si Portugalia, Republika Çeke, Gjermania dhe Greqia si dhe shumica e BE-së kanë aplikuar kufizime të ashpra kundër COVID-19.

Në Irlandë, qytetarët në Dublin kanë protestuar kundër masave të izolimit dhe autoritetet kanë arrestuar të paktën 23 persona. Ky shtet është në izolimin e tretë mbarëkombëtarë dhe javën e kaluar autoritetet e zgjatën këtë masë deri më 5 prill.

Ndërkaq Zelanda e Re, që ka qenë shtet model për përgjigjen ndaj pandemisë, është detyruar që të vë masën e izolimin në qytetin e saj më të madh, pasi autoritetet po tentojnë që ta vënë nën kontroll variantin britanik të virusit.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka njoftuar se qyteti Auckland do të jetë në izolim për shtatë ditë, pasi në total, në këtë qytet janë identifikuar 13 raste me variantin e ri të virusit.

Të ngjajshme

Ministri Vitia tregon se nëse do të ketë masa të reja anti-Covid në Kosovë

albswiss.com

Si do të bëhet seleksionimi i personave që do të vaksinohen, flet zëdhënësi i MSH-së

albswiss.com

Ramush Haradinaj takohet me Kosnett, bisedojnë rreth zhvillimeve të fundit politike

albswiss.com