Sot, më 25.11.2025, Shefi i Misionit Konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, pati nderin e veçantë të takohej me z. Mario Fehr, anëtar i Qeverisë Kantonale dhe drejtues i Departamentit për Siguri të Kantonit të Cyrihut.
Ky departament mbikëqyr policinë kantonale, rendin publik, mbrojtjen civile, koordinimin e emergjencave, administrimin e burgjeve kantonale dhe masat për parandalimin e ekstremizmit, duke siguruar një ambient publik të sigurt për të gjithë qytetarët e kantonit.
Gjatë këtij takimi të frytshëm dhe shumë konstruktiv, u zhvillua një dialog i hapur mbi mundësitë për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe koordinimin mes Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih dhe autoriteteve kantonale të Cyrihut, në të gjitha fushat për të cilat ky departament është përgjegjës.
Z. Berisha shprehu mirënjohjen e tij të thellë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme të z. Fehr, duke theksuar optimizmin për projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim të mëtejshëm në të gjitha fushat e përgjegjësisë./Alb’swiss TV/





