9.2 C
Geneva
Monday, December 8, 2025

“Shkolla Shqipe” në Wittenbach të kantonit St. Gallen hap dyert për fëmijët shqiptarë

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Si çdo vit festat e Nëntorit sjellin gëzim dhe lumturi në familjet shqiptare kudo që janë. Por, ato na obligojnë edhe të punojmë më shumë, të veprojmë më shumë në shërbim të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar – vlera këto që maten me shekuj.

Nxënësit e “Shkollës shqipe” në Wittenbach të kantonit të St. Gallenit

Kësaj të mërkure, në prag të festës së 28 Nëntorit, apo siç e quajmë në gjuhën popullore Dita e Flamurit, fëmijët e qytezës Wittenbach të kantonit St. Gallen patën një arsye të veçantë për t’u gëzuar. Pas një përkushtimi të veçantë të prindërve shqiptarë, të prirë nga prof. Vaxhid Sejdiut, u bë e mundur që “Shkolla Shqipe” në Wittenbach më në fund të hapë dyert për fëmijët shqiptarë të kësaj ane, që edhe ata, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në qytete të tjera, të kenë mundësi të shkojnë në klasën e “Shkollës Shqipe” ta mësojnë gjuhën amtare.

A ka më bukur që pikërisht në prag të 28 Nëntorit fëmijët të hapin abetaret, librat shqip dhe të nisin të mësojnë gjuhën e të parëve të tyre – gjuhën shqipe, gjuhën e shekujve?

Gëzimi ishte i papërshkrueshëm jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit shqiptarë, të cilët i orientuan fëmijët drejt Shkollës Shqipe. Për ta ishte kujdesur në mënyrën më të mirë të mundshme mësuesja Artjola Ferizi. Ajo në bashkëpunim me “Shkollën Shqipe” kishte siguruar tekstet shkollore me qëllim që buzëqeshja e këtyre fëmijëve që në ditën e parë të mësimit të ishte sa më e plotë.

Vlen të përmendet se mësuesja Artjola Ferizi është një mësuese me përvojë të gjatë në arsim. Ajo kohën më të mirë e ka kaluar dhe kalon si mësimdhënëse në shërbim të fëmijëve. Ajo iu bashkua që në ditën e parë “Shkollës Shqipe” në mërgatë, duke dhënë kontributin e saj të çmuar në këtë rrugëtim të përbashkët të mësuesve dhe prindërve shqiptarë në shërbim të arsimit shqip.

Duhet theksuar se tekstet shkollore janë të Qendrës së Botimeve për Diasporën (QBD), të cilat kanë mbërritur me kohë për fëmijët shqiptarë në Zvicër falë një bashkëpunimi profesional ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Shqipërisë. Dihet qartë se të gjitha tekstet shkollore janë falas për fëmijët shqiptarë.

Edhe pse jemi drejt fundit të vitit kalendarik, puna dhe përkushtimi për gjuhën shqipe gjithnjë e më shumë përhapet. Hapja e kësaj pike të re të “Shkollës Shqipe” në kantonin St. Gallen është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe traditave tona në diasporë.

Duke pasur përkushtimin profesional dhe zemrën plot dashuri mësuese Artjola Ferizi, e mbajti orën e parë mësimore – një moment i veçantë që shënon fillimin e një rruge të bukur për fëmijët tanë.

Në këtë orë të parë morën pjesë me hare dhe kureshtje fëmijët:
Dauti, Asja, Elina, Eljona, Ameli, Medini, Luani dhe Drini.

Secili prej tyre solli buzëqeshje, gjallëri dhe dëshirë për të mësuar gjuhën e zemrës, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocione pozitive.

Hapja e kësaj pike të re është një dëshmi se misioni i “Shkollës Shqipe” vazhdon me energji dhe vizion, pavarësisht sfidave dhe distancave. Me zemër urojmë që në orët dhe ditët në vijim të na bashkohen edhe më shumë fëmijë, që ky rrugëtim të bëhet edhe më i pasur, më i gjerë dhe më frytdhënës.

Gjithçka nis me një hap të vogël, por me shpresa të mëdha.

Shkolla Shqipe – LAPSh “Naim Frashëri” – Zvicër

Sektori për informim

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img