Nuk nevojitet më certifikatë e vaksinimit, test për SARS Cov2 apo certifikatë e shërimit për të hyrë në Shqipëri nga çdo pikë kufitare.
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri, bazuar në situatën epidemiologjike, e cila është përmirësuar, ka marrë vendim që këto detyrime të hiqen duke filluar nga 1 maji. Gjithashtu do të hiqet detyrimi për mbajtjen e maskave, por rekomandohet mbajtja e tyre në ambientet e mbyllura. Një tjetër vendim i komitetit është lejimi i muzikës pas orës 23:00 dhe rihapja e klubeve të natës.
Gjatë fjalës së saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se komiteti do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe këto masa do të vlerësohen varësisht nga niveli i rrezikut në vend apo edhe në botë.