Mbrëmjen e kaluar, në sallën e Quartier de l’Étang në Vernier, u zhvillua një seancë informative me temën “Shtylla e Parë e Sigurimeve Shoqërore – AVS”, e organizuar në bashkëpunim ndërmjet Shoqatës Komuniteti Shqiptar i Gjenevës dhe EPER.
Kjo iniciativë kishte për qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga përfshirja në këtë sistem pensional.
Gjatë kësaj seance, zonja Luljeta Krasniqi-Hajzeraj, eksperte në fushën e sigurimeve shoqërore, prezantoi një pasqyrë të detajuar mbi funksionimin e AVS-it, kriteret e përfitimit, si dhe mënyrën e llogaritjes së kontributeve përpara daljes në pension.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të drejtpërdrejta nga znj. Krasniqi-Hajzeraj, duke mundësuar një diskutim të hapur dhe të frytshëm mbi këtë tematikë me rëndësi të veçantë sociale.
Seanca informative e radhës, e cila do të trajtojë Shtyllën e Dytë të Sigurimeve Shoqërore – LPP, do të mbahet më datë 16 maj, në të njëjtin vend./Alb’swiss TV/