fbpx
19.8 C
Geneva
Tuesday, October 1, 2024

Skemat e parealizueshme sociale

Rritja e skemave sociale dhe pensionale nga 30 deri në 40 për qind dhe futja e skemave të reja sociale janë disa nga premtimet e partive politike, të cilat bien ndesh me mundësitë buxhetore që ka Kosova, thotë profesori i ekonomisë Muhamet Sadiku. Në këtë mënyrë, shton ai, këto premtime janë të parealizueshme.

Buxheti i Kosovës për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove dhe përgjatë viteve nuk ka pasur buxhet më të madh se ky i cili është në këtë vit.

Ndërkaq, baza e politikave sociale në Kosovë, përbëhet nga skema të shumta sociale e pensionale. Në këto kategori hyjnë mbi 420 mijë qytetarëve të Kosovës dhe nga buxheti i shtetit çdo vit, ndahen deri në 400 milionë euro.

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku thotë për Radion Evropa e Lirë se këto premtime zakonisht janë jorealiste, pasi që bien ndesh edhe me rritjen ekonomike që ka Kosova.

 “Kosova qe në një kohë të gjatë është në një depresion social dhe shanset për të ikur nga kjo zonë janë shumë të vogla. Premtimeve të tilla duhet t’iu shmangemi dhe të koncentrohemi në gjëra që janë të prekshme për popullatë”, thotë Sadiku

“Kosova vazhdon të ketë 9 për qind të popullatës në varfëri ekstreme dhe 12 për qind në varfëri absolute, ku i bie që rreth 400 mijë qytetarë jetojnë me konsum ditor rreth 2 euro dhe nuk mund të ketë pretendime për ndryshime të mëdha sociale”, shton ai.

Rritja ekonomike në Kosovë përgjatë viteve nuk ka qenë më shumë se 4 për qind, ndërkaq në vitin 2020 si pasojë e pandemisë COVID-19, ka pasur rënie ekonomike deri në 7 për qind.

Premtimet e partive politike për rritje të skemave sociale bien ndesh edhe me politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky institucion në të kaluarën kishte theksuar se skemat e reja sociale mund ta fusin Kosovën në një krizë fiskale. Buxheti i Kosovës, sipas FMN-së, nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale.

Profesor Sadiku, shton se duhet bërë ndryshime të mëdha në rritje ekonomike dhe më pas të shikohet se sa kjo rritje ekonomike do të konvertohet në platformë sociale. 

Sipas tij, Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike dyshifrore për të adresuar problemet ekonomike dhe sociale

“Kemi dështime të shumta sepse në Kosovë nuk ekziston lidhja në mes rritjes ekonomike dhe situatës sociale, mes rritjes ekonomike dhe pensioneve, mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave…”, thotë ai.

Vende pune për disa kategori sociale

Në anën tjetër, Behxhet Gaxhiqi, profesor i Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i kategorive sociale është i madh dhe një nga format më të mira e mbështetjes është punësimi i atyre kategorive sociale që mund të punojnë.

“Është pozitive të mendohet për mirëqenien e këtyre kategorive, megjithatë rritja e skemave sociale nuk nënkupton që ne po i sigurojmë dhe jemi duke iu bërë zgjidhje, fokusi duhet të jetë te punësimi”, thotë Gaxhiqi.

Premtimet e partive për skemat sociale e pensionale

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka premtuar se nëse do të arrijë të qeverisë me Kosovën në katër vjetët e ardhshme, “të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 euro, kurse fëmijët nën moshën 16-vjeçare do të përfitojnë 10 euro në muaj”.

Kjo parti politike po ashtu ka premtuar nga 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit, nga 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro dhe nga 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro në vit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin qeverisës ka premtuar se  nga viti 2023 nuk do të ketë pensione nën pagën minimale. Ndërkaq, pagën minimale e ka premtuar 300 euro.

Po ashtu, LDK-ja ka premtuar rritje të asistencës sociale për 30 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), lidhur me skemat sociale ka premtuar që pensionet bazike dhe pensionet e moshës të rriten 40 për qind, pensionet kontributdhënëse do të rriten 30 për qind, si dhe pensionet e familjeve të dëshmorëve, pensionet e invalidëve të luftës të rriten 30 për qind.

Po ashtu, PDK-ja ka premtuar rritje deri në 30 për qind për të gjitha llojet e pensioneve të tjera.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img