Qyteti Lion në Francë, konsiderohet qyteti i dytë në këtë vend dhe ndodhet në lindje të Francës. Sikur nëpër shumë vende të Evropës perëndimore, edhe këtu prej kohësh, e sidomos nga lufta e fundit në Kosovë, jetojnë, veprojnë dhe punojnë numër i konsiderueshëm i mërgatës sonë shqiptare.
Lioni shtrihet mes dy lumenjve të mëdhenj Rhone e Saone dhe jeta në këtë qytet është shumë dinamike. Një metropol i vërtet me infrastrukturë urbane, industri të zhvilluar por, edhe me gjurmët e lashta të ndërtimeve ngritur shekuj më parë. Qyteti i Lionit gjithashtu është një qendër e madhe e biznesit, kulturës dhe ka reputacionin si kryeqyteti francez i gastronomisë, po ashtu një rol të veçantë e të rëndësishëm luan edhe në historinë e kinematografisë dhe filmit.
Shqiptarët në Lion pjesë e madhe e tyre janë integruar në jetën vendore. Pas marrjes së leje qëndrimit, ata janë inkuadruar në jetën e përditshme duke ndarë vlerat e tyre si në tregun e punës, shkollimit dhe shumë zhvillimeve kulturore.
Egzon Muçolli nga qyteti i Pejës së Kosovës, është njëri nga shumë të rinj i cili bën vite që jeton këtu bashkë me familjen. Egzoni është një djalë me ambicie dhe i përkushtuar në punë. Pas mësimit të frëngjishtes ai ka ndjekur ëndrrën e tij. Ka shkuar deri në fund të saj apo ka nisur që dëshirën që kishte për gastronominë ta kthej në realitet.
Vështirësitë nuk e kanë stepur Egzonin, përkundrazi. Specialitetet autoktone të kuzhinës shqiptare, tradita dhe përfaqësimi i saj edhe para të tjerëve e kanë nxitur atë për të marr hapin për hapjen e restorantit me emrin “Sofra Pejane” në njërën nga lagjet frekuentuese të metropolit të Lion-it në Gare de Vaise – metro VALMY.
Egzoni me kohë ka qenë i njohur me nivelin e gastronomisë franceze, me procedurat dhe kontrollet e rrepta që i bëhen ushqimeve dedikuar publikut dhe popullatës, por duke besuar se kuzhina shqiptare, specialitetet dhe gatimet e saja janë të lakmuara dhe të çmuara nga të tjerët, ai ka filluar.
Restoranti i tij “Sofra Pejane” ndodhet në një nga pikat shumë të frekuentuar të qytetit të Lion-it. Restoranti ka një hapësirë mbi 50 ulëse dhe është tejet komod me dekor modern dhe piktura të njohura shqiptare që spikasin muret e tij. Ai është shumë i përshtatshëm për dreka, darka familjare, takime pune, por edhe çlodhje të klientëve.
Mirëpritja e klientëve është prioritet për stafin. Buzëqeshja dhe mirëseardhja e përcjellë me muzikë shqipe lënë shpresën e një vendtakimi të përhershëm jo vetëm për mërgimtarët tanë që kjo ju ka munguar prej kohësh, por edhe për shumë kombe të ndryshme të cilët jetojnë në Lion.
Në restorantin “Sofra Pejane” konsumatorët mund të gjejnë lloje të ndryshme ushqimesh dhe një meny të pasur kryesisht me specialitete të kuzhinës sonë shqiptare. Mishi i përgatitur në skarë dhe fërgesat, duke filluar nga qebapët, pleskavicat dhe specialitete tjera të cilët përgatitën me shumë mjeshtri nga kuzhinierët këtu janë shumë të shijshme, dhe kanë mbetur edhe sot një ushqim i preferuar sidomos për ne shqiptarët. Gjithashtu, në këtë restorant përgatiten edhe specialitete shqiptare nga brumërat siç është BUREKU, Flija, pitja dhe sallatat e ndryshme me produkte djathi, domate etj…
Këtu klientët mund të gjejnë edhe ëmbëlsira të ndryshme që vijnë nga gatimet tona të njohura siç është bakllavaja, trileqja, tullumbat dhe shumë ëmbëlsira tjera të cilat mund të shërbehen aty por edhe të porositen drejtpërdrejtë për ndonjë festë familjare, apo kur edhe duan t’i gostitin mysafirët.
Gjithashtu, në restorant pijet janë nga më të ndryshme me një gamë të gjerë zgjedhjesh për gjitha shijet e klientëve. Shërbehet me kafenë e zakonshme, makiato, kafen me qumësht, çaj dhe pije të nxehta dhe ato freskuese, por edhe të gazuara.
Çmimet në restorant janë të arsyeshme dhe konform rregullave dhe restoranteve tjera në vend. Këtu klientët janë të kënaqur me çmimet sepse kualiteti, cilësia e përgatitjes dhe pritjes që i bëhet atyre ju krijon dëshirën e rikthimit dhe zgjedhjes së gjatë për të u shërbyer në restorant.
Me një fjalë në restorantin “Sofra Pejane” në qytetin Lion të Francës me pronar Egzon Muçolli nga Peja dhe stafin e tij, klientët kanë çfarë të zgjedhin. Pritja dhe ushqimi tradicional i kuzhinës shqiptare tashmë nuk do ju mungoj shumë bashkë mërgimtarëve tanë të cilët prej kohëve bëjnë jetën në këtë qytet. Kjo sofër e shtruar në një qytet siç është Lion-i është një shembull për admirim. Një dëshmi se vlerat tona dalëngadalë po ofrohen aty ku kishin vendin prej kohësh./Alb’swiss TV/