6.2 C
Geneva
Sunday, March 3, 2024

Sukseset e Shoqatës Dardania janë frymëzim për 15 vjetorin e Pavarësisë në Itali

Këtë vit festimi i përvjetorit të shpalljes së pavarsisë së Republikës së Kosovës, kudo në mërgatë, kishte një arsye të veçantë për të qenë madhështor dhe kuptimplotë. Sepse pas dy viteve të kufizimeve dhe mungesës së mundësisë për tubime, për shkak të masave shtërnguese anti-Covid, përfundimi në dukje i emergjencës së pandemisë ishte jo vetëm një hapje ndaj lirisë por edhe motiv për të festuar me zemër kudo.

Italia ka pasur barrë të rëndë në këtë periudhë që pati shumë viktima, e ajo u manifestua edhe në jetesën dhe organizimin e mërgatës shqiptare, sidomos duke krijuar vështirësi në punën e shoqatave kulturore që kujdesen për integrimin shoqëror dhe ruajtjen e traditave shqiptare si dhe në procesin mësimor të shkollave shqipe të mësimit plotësues për fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.

Vlen të përmendet se njëra nga shoqatat që arritën ta ruajnë integritetin dhe ta ringjallin shkollën shqipe, është Shoqata kulturore “Dardanija” e cila ka mëse dy dekada që vepron në qytetin Montebelluna, në Italinë veriore. E udhëhequr me vullnet dhe angazhim të vazhdueshëm e këmbëngulës nga kryetari i saj profesor Faik Tafolli. edhe sukseset e kësaj shoqate bëjnë që njerëzit vullnetmirë në mesin e mërgimtarëve të kenë emër dhe vend për të realizuar projektin e vazhdueshëm të paraqitjes së vlerave kombëtare dhe patriotike në këtë pjesë të tokës së begatë të Itaslisë ku jetojnë shumë familje shqiptare.

Aktivitetet e kësaj shoqate lidhen edhe me përvjetorët dhe festat kombëtare si dhe me festat e shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe e cila megjithë vështirësitë nuk u ndal asnjëherë duke dëshmuar vitalitetin e saj si dhe interesimin e prindërve që fëmijët mos ta harrojnë gjuhën e të parëve dhe ta mësojnë duke u recituar dhe kënduar e sidomos duke lozur vallet e bukura autoktone të Kosovës me të cilat dallohet për të mirë Grupi i valltarëve.

Edhe këtë herë, kryesia e shoqatës kishte bërë përgatitjet e duhura që të festohet dinjitetshëm përvjetori i pesëmbëdhjetë i pavarsisë së Kosovës duke përgatitur program kulturor dhe artistik të vlefshëm për çdo respekt. Në mbrëmjen e tetëmbëdhjetë shkurtit në një sallë të madhe e të dekoruar me flamuj shtetëror e kombëtar të Kosovës, Shqipërisë dhe Italisë si vend mikpritës, në Musano të Trevizos, në pjesën e parë të programit festiv u bë promovimi i librit “ Një kullë nëpër shekuj”, i autorit prof. Faik Tafolli i botuar në vitin 2021 por i paprezentuar deri tash publikut për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia.

Në sallën e mbushur plot mysafirë ku kishte ardhur për të nderuar festën edhe Konsulli i përgjithshëm i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Milano, z. Diamant Kastrati me bashkëshorten dhe vajzën e tij, tubimin e hapi kryetari Faik Tafolli, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit duke folur për punën e shoqatës tha se gjendemi larg atdheut dhe po bëjmë përpjekje maksimale që të ruajmë gjuhën, kulturën,traditën tonë kombëtare, nëpërmes punës me fëmijë të vegjël, që kanë lindur këtu në mërgim, në shkollën shqipe me recitime, këngë dhe valle shqiptare. Ai përmendi se mjaft aktivitete të shkollës së mësimit plotësues i ka prezentuar në librin e tij të parë “Larg atdheut frymojmë shqip” i cili është monografi kushtuar aktivitetit të shoqatës Dardania ndër vite. Ai pastaj evokoi kujtime nga festimet spontane që u bënë para 15 vitesh në momentin kur u shpall pavarësia e Kosovës kur mërgimtarët kosovarë me makina dhe flamuj kombëtarë sikur me kolona dasmorësh parakaluan rrugëve të vendbanimeve nga provinca e Trevizos dhe shkuan në Montebelluna për të festuar shpalljen e shtetin e ri sovran.

Bashkë me kryetarin , për mbarëvajtjen e programit u kujdes edhe mësuesja dhe udhëheqësja e manifestimeve shkollore dhe kulturore të kësaj shoqate zonja Edlira Shehu, e cila me fjalë të zgjedhura e me respektin e treguar për secilin pjesëmarrës i dha kuptim të plotë mikpritjes tradicionale vëllazërore që gjendet te ta.

Libri “ Një kullë nëpër shekuj” pati vlerësimin e duhur nga dy lexues të kujdesshëm dhe kritikë, poeti dhe fabulisti i njohur Bari Dervishllari me prejardhje nga Shqipëria e dr. Gëzim Muçolli mërgimtar nga Kosova, të cilët sollën analizat e tyre të leximit, duke nxjerrë kuptimin e këtij libri origjinal secili nga këndvështrimi i tij. Autori Tafolli duke shkruar plot nostalgji për fshatin e tij të lindjes kishte pasqyruar edhe të kaluarën plot gjallëri të Çadrakut, tashmë pothuajse fshat i braktisur nga migrimi por i cili vazhdon të jetojë në kujtesë siç ishte dikur.

Konzulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës Diamant Kastrati kishte ardhur nga Milano dhe në fjalën e tij përshëndetëse i uroi të gjithë të pranishmit: Gëzuar dhe urime festën e pavarësisë së Kosovës, dhe e gëzofshim përjetë,Në raste të tilla gjithëmonë është me rëndësi të shfrytëzojmë rastin me i përmendë të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe që kanë bërë shumë që të vijmë ne në këtë ditë Ai kujtoi me respekt edhe sakrificën e gjeneratave për ta arritur deri në këtë ditë të shënuar.

Me këtë rast profesor Faik Tafolli ia dhuroi z. Kastrati dy librat e tij autorial dhe numrin special të revistës “Dardania” ku janë prezentuar sukseset e anëtarëve të shoqatës dhe nxënësve të shkollës shqipe,

Ishte dëshira e e autorit që poezinë e tij me elemente autobiografike me titull “Zëri i Nënëlokes” ta recitonte para publikut Valdete Llumnica -Muçolli e cila i dha shpirt dhe emocion porosisë së vargjeve të prof. Tafollit mbi plagën e kurbetit që i ndan nga familja dhe trolli i të parëve mërgimtarët tonë.

Poashtu edhe Shpresa Gashi e cila ka marrë pjesë në gara të recituesve lexoi dy poezinë të autorit me titull ”Porosia e dallandyshes” dhe “Vendlindjes sime”.

Gjithashtu për ta plotësuar karalterin letrar.- kulturor të pjesës së parë të festës poeti Bari Dervishllari lexoi poezinë e tij që ia kishte kushtuar trojeve të Dardanisë. Si dhe Gëzim Muçolli lexoi poezitë “Nuk gjykohet Garibaldi” dhe “Kur u bëmë specialë” kushtuar mbrojtjes së dinjitetit të ushtrisë çlirimtare dhe të luftës së shenjtë për lirinë e Kosovës.

Kontribut të veçantë lidhur me promovimin e librit dhanë edhe veprimtarët e mirënjohur Sami Binakaj, Valdet Tahiraj, Muamer Murtezani dhe Veli Sinani duke diskutuar rreth temës bosht të librit si dhe për efektet e mërgimit te populli shqiptar.

Pas përfundimit të pjesës tematike, filloi pjesa muzikore artistike shumë e begatë dhe publiku i pranishëm në sallë u kënaq me vlerat e muzikës sonë kombëtare duke mos e ndalur vallen dhe duartrokitjet për këngëtarët.

Fillimisht udhëheqeset e programit festiv Edlira Shehu dhe Rina Bujari të cilat janë mësuese të shkollës shqipe duke i ftuar me radhë nxënësit shpalosën punën që kishin bërë në gjysëmvjetorin e parë.U recituan poezi nga nxënësit:Vesa Pirku, Anduena Krasniqi, Edonisa Balaj, Enes Skuta, Ledion Morina, Erblina Kurti, Ardita Bytyçi, kurse vallet që u mirëpritën shumësi me koloritin e veshjeve autoktone poashtu edhe me ritmin e sinkronizuar u realizuan me nivel të lart artistik nga nxënësit e vyer si : Sara Skuta, Gledisa Mehija, Erblina Kurti, Anduena Krasniqi, Edonisa Balaj, Ardita Bytyçi, Vesa Pirku, Vanesa Shala, Anita Bytyçi, Erza Bytyçi, Bleona Lumi, Vlen të lavdërohet me notë maksimale për paraqitjen e saj dhe realizimin e valles së Shotës, nxënësja Verona Sinani e shoqëruar nga mësuesi i mirënjohur i valleve Muamer Murtezani.

Një pikë të veçantë në program ishte edhe prezentimi i poetes Ola Ismaili e cila anlizoi dhe recitoi poezinë e Faikut kushtuar Nënës.

Atmosfera festive ishte mjaft e bukur me këngëtarë që ditën ta mbajnë në valle publikun deri pas mesnate. Shkëlqeu këngëtari i mitrënjohur Gjin Shani me këngët e tij popullore si dhe rapsodët e mirënjohur që nuk lënë rast pa i shpalosur epikën popullore plot lavdi të Shqipërisë. Rapsodët e mirënjohur Gjelosh Hajdari, Feim Graishta dhe Ali Kurti bashkë me kolegun e tyre Xen Shala, e kënaqën publikun me artin e vërtetë popullor i cili gjithmonë kërkohet dhe çmohet në mesin e brezave të mërgimntarëve.

Kryetari i shoqatës Dardania nuk harroi të falenderonte edhe sponzorët që e ndihmojnë çdo aktivitet të tyre e këtë herë i veçoi dy emra : Myrtë Bytyçi dhe Hashim Racaj.

Mbrëmja festive e cila kaloi në atmosferë vëllazërore ku kishin ardhur mysafirë edhe nga provincat tjera të regjionit Veneto, ishte shembull i mirëorganizimit dhe paraqitjes dinitoze se si kultivohen dhe ruhet trashëgimia kombëtare në mesin e mërgimtarëve saqë ishte përshtypje e përgjithshme se kishin kaluar aq mirë saqë iu dukej sikur po festonin diku në trojet etnike shqiptare.

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img