Gjendja e rëndë ekonomike, braktisja e shkollës dhe dhuna në familje janë disa nga arsyet kryesore për martesat e hershme në Kosovë, e që më së shumti i prek vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, thonë nga shoqëria civile në Kosovë.
Martesa e hershme në Kosovë është ngritur si shqetësim në raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021, i publikuar nga Departamenti Amerikan të Shtetit (DASH) më 12 prill.
DASH citon një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), i cili thotë se 1 në 25 gra dhe 1 në 50 meshkuj të moshës 20-24 vjeç ishin martuar para moshës 18 vjeç në Kosovë.
Sipas këtij raporti të publikuar në vitin 2019-2020, përqindja është shumë më e lartë te femrat dhe meshkujt e kësaj moshe nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në fakt, 1 në 3 femra dhe 1 në 10 meshkuj të moshës 20-24 vjeç të këtyre komuniteteve, ishin martuar para moshës 18 vjeçe.
Edhe në raportin e DASH-it shkaktar për këtë situatë vlerësohet të jetë varfëria dhe mungesa e edukimit.
Gjyljeta Devolli, nga Organizata për të drejtat e grave dhe vajzave rome, ashkali dhe egjiptiane tha për Radion Evropa e Lirë se informimi dhe vetëdijesimi i familjeve të këtyre komuniteteve lidhur me martesat e hershme është faktor kyç në parandalimin e kësaj dukurie. Sipas saj, shumica e familjarëve, i detyrojnë vajzat e tyre të martohen me pretendimin se ato do të gjejnë një jetë më të mirë, mirëpo në fakt, siç shtoi ajo, në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta.
Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se vetëm 64 për qind të fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan, e ndjekin shkollën e mesme të ulët, ndërsa vetëm 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë.
Problemi i martesave të hershme synohet të rregullohet me draft-Kodin e ri Civil, të cilin e ka përgatitur Ministria e Drejtësisë në Kosovë.
Sipas këtij Kodi Civil, i cili ende pritet të miratohet, “askush nuk mund të lidhë martesë pa e mbushur moshën 18 vjet, duke ndaluar mundësinë e lidhjes së martesave të hershme nën moshën 18-vjeçare”.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), ndërkohë vlerëson se që nga marsi i vitit 2018, në të gjithë botën, diku rreth 21 për qind e grave të reja janë martuar para moshës 18-vjeçare. Po ashtu, sipas UNICEF-it, 650 milionë gra dhe vajza që janë gjallë sot, janë martuar para moshës 18-vjeçe. Çdo vit, 12 milionë vajza në të gjithë botën, martohen para moshës 18-vjeçare dhe pritet që 150 milionë vajza të martohen para se t’i mbushin 18 vjet, deri në vitin 2030.