Ministria e Arsimit të Shqipërisë lëshoi më 3 mars 1937 një qarkore, e cila kërkonte nga të gjitha shkollat e vendit të këndonin Himnin e Flamurit para fillimit të mësimit. Qarkorja kërkonte kryerjen e këtij riti me seriozitet, duke i qëndruar besnik tekstit dhe notave. Teksti i himnit është shkruar nga Aleksandre Stavre Drenova (Asdreni) më 1908, por është pranuar si himn kombëtar më 1912.
Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.
Në të njëjtin vit, dy ditë më vontë më 5 mars 1937, një komision i përbërë nga Parashqevi Kyrias (Qiriazi), Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali u mblodhën dhe vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komisioni e cili do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’. Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.





