3.1 C
Geneva
Thursday, April 10, 2025

Zëri i diasporës që ruan rrënjët: një bisedë me atdhetarin dhe veprimtarin e palodhur Nasuf Nuhiun

Në diasporën shqiptare në Zvicër, shqiptarët në Gjenevë dallohen për gjallërinë e përkushtimin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës shqiptare. Një nga figurat e dalluara është atdhetari dhe veprimtari i palodhur Nasuf Nuhiu, kryetar i shoqatës “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”. Me një angazhim të pandërprerë dhe bashkëpunim të ngushtë si me Klubin FC Kosova, LAPSH-in, shoqatën Studentët Shqiptarë, ka dhënë kontribut të çmuar në shumë organizime kulturore, arsimore dhe kombëtare.

Ndër ngjarjet e veçanta të organizuara ishte edhe mbrëmja e djeshme, kur në një atmosferë mbresëlënëse u promovua libri “Shekulli i parë” i autorit vlonjat dhe “Mjeshtër i Madh”, Sejmen Gjokoli. Ky eveniment, që mblodhi bashkë shqiptarë nga trevat dhe moshat e ndryshme, u kthye në një festë të fjalës, kujtesës dhe krenarisë kombëtare.

Në këtë rast kam zhvilluar bisedën me bashkatdhetarin z. Nuhi, për rrugëtimin e tij personal e shoqëror, sfidat dhe sukseset në drejtimin e shoqatës, si dhe për rëndësinë e aktiviteteve që bashkojnë komunitetin shqiptar në Gjenevë rreth vlerave që na përbashkojnë.

Kush është Nasuf Nuhiu, ku i ka rrënjët?

Jam nga Stublla e Ulët, Viti, Kosovë. U largova në vitin 1992, në moshën 17-vjeçare. Në Gjenevë u vendosa në vitin 2004, ku vazhdova angazhimet për vendlindjen dhe u përfshiva në aktivitete shoqërore. Kam qenë refer futbolli dhe anëtar i kryesisë së FC Kosova të Gjenevës, si dhe kam qenë anëtar i kryesisë së LAPSH-it. Që nga themelimi i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës jam pjesë e kryesisë, ku për 8 vite kam shërbyer si arkëtar dhe më 16 tetor 2023 u zgjodha kryetar i shoqatës. Aktualisht jam sekretar sindikal pranë sindikatës UNIA në Gjenevë.

Çfarë do të thotë për ju të jesh shqiptar që jeton jashtë atdheut?

Unë jam gjenerata e parë nga familja e ime që mora rrugën e vështirë të mërgimit. Të jetosh larg atdheut duhet më tepër punë, duhet mësuar një gjuhë të re që të shërben për të u integruar dhe jetuar me dinjitet në shoqërinë pritëse dhe besoj që plotësisht ia kam arritur qëllimit, por, një gjë është e qartë se jetoj dhe frymoj shqip.

Kur është themeluar shoqata KSHG dhe cilat kanë qenë motivet kryesore që çuan në krijimin e saj?

Shoqata e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës është themeluar më 14 prill 2013, me iniciativën e intelektualit Ali Mehmeti. Është një shoqatë jopolitike, jofetare dhe jofitimprurëse, e krijuar me synim koordinimin dhe organizimin sa më të mirë të shqiptarëve në Gjenevë përballë nevojave dhe sfidave të përbashkëta si komunitet.

Cilat ishin aktivitetet e para të shoqatës dhe si është pritur ajo nga komuniteti shqiptar në Gjenevë?

Një nga aktivitetet e para të shoqatës ishte projekti “Mëso Shqip” – një reklamë televizive e transmetuar në RTK, që synonte sensibilizimin e bashkatdhetarëve për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë. Më pas janë organizuar promovime librash me vlerë shoqërore e kombëtare, bashkë organizimi i festave kombëtare dhe mbështetja e shoqatave të tjera në Gjenevë. Këto aktivitete janë pritur pozitivisht nga shumica e komunitetit shqiptar.

Cilat veprimtari janë më të rëndësishme që organizoni gjatë vitit?

Ndër aktivitetet më të rëndësishme janë festa e flamurit, e cila organizohet në bashkëpunim me shoqatat e tjera, promovimi i librave, shfaqje filmash e monodramash, si dhe seanca informative mbi tema shoqërore. Gjithashtu, informojmë rregullisht komunitetin për ngjarjet dhe aktivitetet që zhvillohen në Gjenevë, të cilat ndryshojnë nga viti në vit.

Sa është i përfshirë brezi i ri shqiptar në këto aktivitete? Si e motivoni rininë që të angazhohet?

Brezi i ri shqiptar është mjaft i përfshirë në aktivitetet tona, por gjithmonë i ftojmë të angazhohen edhe më shumë me idetë dhe përvojat e tyre. Veçojmë bashkëpunimin e frytshëm me studentët shqiptarë dhe shoqatën e tyre në Gjenevë, të cilët i falënderojmë për kontributin e çmuar.

Me cilat sfida përballet komunitetit shqiptar në Gjenevë?

Integrimi në shoqërinë zvicerane, organizimin e mirëfillët brenda komunitetit por edhe ruajtja e gjuhës shqipe duke u përpjekur që të përfshihen fëmijët në shkollën shqipe, sepse shkollat shqipe për fëmijë shqiptarë hapur. Dërgimi i fëmijëve në shkollë është shumë me rëndësi aty ku zhvillohet dhe shkruhet gjuha shqipe është ndër shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit tonë kombëter dhe sëcili nga ne e kemi obligim t’i kontribojmë kësaj sfide.

A bashkëpunoni me institucione vendore zvicerane apo me ambasadat shqiptare/kosovare?

Po, kemi bashkëpunime të mira si me institucionet vendore zvicerane ashtu edhe me ambasadat shqiptare dhe kosovare, megjithatë ka ende hapësirë për t’i përmirësuar dhe thelluar më tej këto marrëdhënie. Falë këtij bashkëpunimi me palën zvicerane komuna Vernier na ka dhënë falas një lokal për aktivitetin e shoqatës sonë. E falënderojmë me zemër!

A mendoni se komuniteti shqiptar në Zvicër është i organizuar mjaftueshëm?

Mendoj se komuniteti shqiptar në Zvicër ende nuk është i organizuar mjaftueshëm. Ka ende shumë mundësi për përmirësim dhe për të qenë më të suksesshëm në fusha të ndryshme. Do të dëshiroja që edhe institucionet shtetërore nga vendet tona amë të angazhohen më shumë dhe në mënyrë konkrete për organizimin dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të komunitetit tonë në nivel të Zvicrës.

Si e shihni të ardhmen e shoqatës “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë”?

E ardhmja e shoqatës varet nga përkushtimi i Kryesisë dhe anëtarësisë sonë. Shpresoj dhe uroj që të kemi gjithmonë energji dhe ide të reja për të ecur përpara, sepse gjithmonë ka hapësirë për përmirësim dhe zhvillim.

Cilat janë synimet tuaja për vitet e ardhshme?

Synimet tona për vitet e ardhshme përfshijnë rritjen e anëtarësisë, zhvillimin e projekteve dhe ideve të reja, krijimin e urave të bashkëpunimit mes shoqatave shqiptare dhe atyre jo shqiptare, forcimin e marrëdhënieve me përfaqësuesit shtetërorë në Ambasadë e Konsullatë, si dhe mbështetjen e çdo nisme me vlerë kombëtare.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit shqiptarëve të diasporës për rolin që mund të luajnë në forcimin e lidhjeve me atdheun?

Mesazhi im për shqiptarët në diasporë është të kultivojmë dhe forcojmë sa më shumë atdhedashurinë, të njohim e përkrahim njëri-tjetrin dhe të kontribuojmë me përvojat tona profesionale për të mirën e atdheut.

A ka ndonjë moment të veçantë që do ta kujtoni gjithmonë nga puna juaj me komunitetin?

Me siguri se janë të shumta por dua ta veqoj viziten në disa vendbanime Arbëreshe në Itali ku kemi parë shumë gjurmë dhe elemente të gjuhës dhe kulturës tonë shqiptare të ruajtura me shekuj dhe në sheshe është busti i Gjergj Kastriotit. Ne mërgimtarët e sotëm shqiptar duhet t’i kem shembull vëllezërit tanë arbëreshë, që ruajtën gjuhën shqipe gati 6 shekuj.

Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit një dëshirë që lidhet me komunitetin shqiptar në diasporë, cila do të ishte ajo?

Pa dyshim, ëndrra ime do të ishte krijimi i kushteve që të mund të kthehemi në vendlindje dhe të jetojmë të bashkuar, në paqe dhe dinjitet, në një shtet në trojet tona shqiptare.

Sa mendoni se leximi dhe promovimi i librit shqiptar ndikon në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit në diasporë?

Jam i bindur se libri shqip është një nga shtyllat kryesore për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar. Prandaj, promovimi i librit është ndër aktivitetet kryesore të shoqatës sonë. Askund tjetër si në libër nuk mund të gjejmë dhe mësojmë vlera të çmuara individuale, shoqërore dhe kombëtare.

Por, komunitetit shqiptar në Gjenevë i mungon një dyqan ku mund të blihet libri shqip?

Shpresojmë që në të ardhmen do ta realizojmë edhe këtë kërkesë të bashkatdhetarëve.

Çfarë mesazhi keni për komunitetin shqiptar në lidhje me rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla kulturore?

Mesazhi im për komunitetin shqiptar është të marrin pjesë sa më shumë në aktivitete kulturore, sepse përmes pjesëmarrjes ne rrisim vetëdijen individuale, shoqërore dhe kombëtare. Kjo na bën më të përgatitur për sfidat që na dalin përpara dhe madje mund të ndihmojë në parandalimin e disa prej tyre.

Gjenevë 05.04. 2025  Nexhmije Mehmetaj

Të Fundit
spot_imgspot_imgspot_img
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img