Riafirmohet mbështetja e SHBA-së për BE-në në dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasadori i SHBA’së në Ksoovë, Philip Kosnett, është takuar me të Dërguarin Special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Kosnett ka thënë se BE’ja e ka mbështetjen e plotë të SHBA’së në ndërmjetësimin e dialogut mes këtyre dy vendeve.
Ai po ashtu shtoi se qëllimi i këtij dialogu do të jetë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe integrim më i thellë për të dyja vendet.
“Në takimin e sotëm me Miroslav Lajcak, riafirmova mbështetjen e SHBA-së për një bashkëpunimi, për dialogun, të udhëhequr nga BE-ja. Qëllimi ynë: një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe integrim më i thellë Euro-Atlantik nga e cila përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kosnett.
Lajcak po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditore ku do të takohet me liderët politikë të vendit.
Ai është takuar sot me liderin e VV’së, Albin Kurti.
Lajcak nuk ka folur për medie pas takimit.
Kurti në anën tjetër tha se nuk është lëkundur nga qëndrimet e tij se dialogu nuk është prioritet i tij.