Në një konferencë për shtyp të cilën e organizoi shoqata për mbrojtjen e të moshuarve – Avivo Gjenevë – u tha se ata janë ndëshkuar nga subvencionet kantonale për shkak të mbështetjes së saj për kandidatët e majtë në zgjedhjet e fundit federale!
Presidenti i shoqatës Ueli Leuenberger, i njohur si miku ynë, gjatë konferencës së mbajtur sot, tha se shoqata Avivo rrezikon të humbas shumën prej 49,000 frangave e cila do të ndahet vitin e ardhshëm. Ai me këtë rast prezantoi planin e veprimit i cili synon rikuperimin e këtij subvencioni i cili është eliminuar nga e djathta politike.
Tashmë është bërë e njohur se Komisioni për Financa në Kuvendin e Gjenevës, me shumicë votash ka hequr nga projektbuxheti për vitit 2024 subvencionin për AVIVO, njëkohësisht duke dhënë kritika të shumta se ata kanë mbështetur kandidatët e majtë në zgjedhjet federale. Presidenti Leuenberger duke sqaruar këto rrethana tha se ishte i befasuar, i revoltuar dhe njëkohësisht i tronditur nga ky vendim i padrejtë – njofton Alb’swiss TV.
Ai mohon të ketë dhënë udhëzime për 9600 anëtarët e shoqatës duke deklarurar: “Ne kemi analizuar pozicionet e deputetëve të Gjenevës në Bernë lidhur me tri qështjet aktuale : reformën e AVS-it, nismën për pagesën e 13-të të pensionit dhe rishikimin e shtyllës së 2-të (LPP). Më pas i publikuam rezultatet në gazetën tonë dhe rekomanduam votimin vetëm për anëtarët e kryesisë sonë që kandiduan në Bernë.”

Mbështetje për Zyrën Sociale
Subvencioni mbi të cilin ngrehet diskutimi u dha në vitin 2022 nga Kantoni i Gjenevës për një kohëzgjatje prej tri vitesh. Ky subvencion kishte për synim mbështetjen e punës së zyrës sociale të AVIVO-s. Një shërbim shumë i dobishëm për të mbështetur të moshuarit në procedurat administrative, të cilat shpesh herë janë të rënda dhe komplekse, deklaroi Marianne Ricci. Ajo në vazhdim theksoj se: “Njerëzit e moshuar shpesh janë të mbingarkuar nga dokumentet që duhet të ofrojnë, veçanërisht për pyetjet rreth AVS-it dhe përfitimet shtesë (SPC), dhe nevojat vazhdojnë të jenë përherë e në rritje për 85,000 pensionistët e Gjenevës…”
Ndërsa arkëtari i shoqatës AVIVO, Francisco Gonzalez, thekson se buxheti arrin në 1’768’000 në vit. Subvencionet nga kantoni i Gjenevës (49,000 franga) dhe ai nga qyteti i Gjenevës (159,000 franga) mbulojnë gjysmën e buxhetit të zyrës sociale. Pjesa tjetër vjen kryesisht nga anëtarësimi dhe të ardhurat nga udhëtimet e organizuara. “Që nga viti 2020, ne kemi vërejtur një rënie mbresëlënëse të produkteve,” deklaron arkëtari Gonzalez.
Lidhur me këtë çështje, Shoqata AVIVO ju ka dërguar letër 100 deputetëve të Kuvendit të Gjenevës dhe shtatë kryetarëve të partive politike.
Për t’i bindur ata që të ruajnë këtë subvencionin, AVIVO bënë thirrje të gjithë komuniteteve për demonstrata para Kuvendit të Gjenevës me datën 14 dhjetor 2023, ditën kur edhe do të bëhet votimi i këtij buxheti./Albswiss.com/





