Gjermania vazhdon të jetë mbështetëse për Kosovën.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka uruar Frank Walter Steinmeier për rizgjedhjen President Federal i Gjermanisë.
Konjufca ka shkruar se Gjermania dhe Steinmeier kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në mbështetje të Kosovës.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, i uroj z.Frank Walter Steinmeier rizgjedhjen President Federal i Gjermanisë. Gjermania mike, populli i mrekullueshëm gjerman, udhëheqësit e saj të lartë dhe z.Steinmeier, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në mbështetje të Republikës së Kosovës gjithanshmërisht, duke kontribuar për shtetndërtimin, integrimin dhe zhvillimin e vendit tonë”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj presidentit Steinmeier, Qeverisë dhe Parlamentit gjerman për gjithçka që kanë bërë për Kosovën dhe për qytetarët e saj, me dëshirën dhe gatishmërinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.





