Zyra Federale e Statistikës thotë se shumica gjejnë shpejt punë, ndërsa pengesat lidhen kryesisht me gjuhën.
Mbi dy të tretat e personave që kanë ardhur për punë në Zvicër kishin gjetur vend pune para mbërritjes. Kjo del nga anketa e re e Zyrës Federale të Statistikës (BFS), e publikuar më 20 nëntor.
Sipas anketës, nga ata që erdhën pa punë, dy të tretat e gjetën atë brenda tre muajve të parë pas mbërritjes. Kur kishte vështirësi, ato lidheshin kryesisht me njohjen e pamjaftueshme të një gjuhe kombëtare.
BFS tregon gjithashtu se në vitin 2025 mbi 42 për qind e banorëve të përhershëm mbi 15 vjeç kishin prejardhje migratore, ose mbi tri milionë njerëz. Prej tyre, 38 për qind kishin tashmë shtetësinë zvicerane, ndërsa rreth katër nga dhjetë kishin ardhur për arsye familjare.
Për bashkatdhetarët: gjuha mbetet çelësi për punë dhe integrim. Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), shtetasit jashtë BE-së dhe EFTA-s, përfshirë ata nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, mund të marrin leje pune vetëm nën kushte të rrepta, kryesisht për profesionistë të kualifikuar.





