Pasqyra e thyer, poezi nga Avni Azizi

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Do të tregoj për luftën,
Jo me fjalë të bukura që shkëlqejnë,
Por ashtu siç ishte
Me baltë, me errësirë që mbyt.

Rrugët s’do t’i vesh me lule,
Por me pika gjaku mbi bar, mbi asfalt.
Me kujtesë do ta mbuloj dhimbjen,
Si gurë mbi supe… si natë e gjatë.

Tani mbaj mend dhe dëgjo mirë:
Nuk është e lehtë të kujtosh luftën.
Ajo është ndryshe për secilin
Një pasqyrë e thyer,
Ku kujtimet vijnë të copëtuara
Si lodra të thyera.

I pe sot ata luftëtarë të tubuar
Tek vendosnin lule pranë monumentit
Shumë prej tyre mungonin.
Çdo ditë shuhen si qirinj,
Një nga një treten.
Pleqëria u ka vënë dorën mbi supe
Dhe vjen një ditë
Kur s’do të mbetet më asnjë.

E pe lapidarin e heroit si buzëqeshte,
Sikur gëzohej që takonte shokët
Disa vjet më parë ai ra në pavdekësi.
I ri ishte… kishte ëndrra… ishte trim.
Kishte moshën e djalit tim.

Atë ditë toka dridhej, qielli digjej.
Në lumin e atyre viteve që s’thahen,
Ai rrjedh ende nëpër ne
Po ai, i pashëm, i buzëqeshur.

Lufta nuk është një kujtim i vetëm.
Ka dyer të mbyllura shtëpish,
Ku çelësi është një premtim i rremë.
Ka dhembshuri për të dashurit,
Pa e ditur se ata janë ende gjallë.

Lufta është përzgjedhësja e madhe
Zgjedh djemtë e vashat më të mira,
Mbi baltë, mbi bar i tërheq zvarrë,
i bën fasha të bardha, të lehta në erë,
Si flamuj në nurin e atdheut.

Ajo ka varre të thjeshta, varre pa emër,
Pritje përqafimesh që s’vijnë kurrë,
Zemra të thyera si gotë e hollë,
Traktorë të kuq që gulçojnë përpjetë,
Mllef mbi baltën e egër.

Brenda mureve të ciflosura
Ka shtretër të improvizuar spitalorë,
Engjëj që vrapojnë mbi retë e bardha,
Njerëz që s’i tremben të ftohtit e urisë,
Njerëz me përvojë kështjellash,
Që mbajnë mbi supe, në sy e në duar.

Jo… lufta ka gjëra më të forta se vdekja
Ideale, besnikëri ndaj stuhive e valëve,
Sy që me butësi ngrohin metalin,
ëndrra drejt brigjeve përtej mjegullave,
Dhe ata që shkrijnë jetën për jetë
Atë që sot ne e quajmë liri.

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img