17.2 C
Geneva
Thursday, October 9, 2025

Bedri Muçolli – futbollist me shumë adhurues, mësues i përkushtuar dhe arbitër i paanshëm

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Bedri Miftar Muçolli lindi më 1945 në Bajçinë të Podujevës, në një familje të ndershme e punëtore.

Ai u rrit me dashurinë për sportin dhe dijen. Qysh i ri u dallua si lojtar i talentuar, duke veshur me krenari fanellën e KF “Llapit”, e më 1966 edhe atë të KF “Prishtina”, anëtare e Ligës së Dytë Federative të Jugosllavisë, grupi i Lindjes.

Edhe pse qëndroi shkurt në këtë skuadër, Bedriu fitoi respektin dhe adhurimin e bashkëlojtarëve, tifozëve dhe kundërshtarëve për shpirtin luftarak dhe lojën e pastër.
Duhet theksuar se Bedriu, së bashku me vëllezërit Hashim e Bislim Aliu dhe Avni Hoxha, janë ndër të parët që veshën fanellën e klubit futbollistik “Llapi” të Podujevës.

Me këtë katërshe talentesh luajti edhe Nezir Halili, minoritar ashkali, i njohur për lojën vetëmohuese dhe angazhimin në fushë.

Gjatë asaj periudhe skuadra e Llapit dominohej nga serbë e malazezë të ardhur në Podujevë si kolonë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Si mesfushor ofensiv, Muçolli shquhej për organizimin e rasteve për shënim dhe shërbimin e saktë të bashkëlojtarëve me top. Ai shpeshherë shënonte edhe gola jashtëzakonisht të bukur.
Loja e tij u ngrit në cilësi sidomos me aktivizimin e lojtarëve të talentuar në Llap, si: Fazli Llugaliu, Shaban Hajrullahu, Rifat Raçi, Shaban Hajdari, Idriz Mehmeti, Selatin Vokrri etj.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai iu përkushtua arbitrimit, duke u bërë një nga arbritrat më të njohur e më të paanshëm të futbollit kosovar. Me drejtësinë dhe profesionalizmin e tij, Bedri Muçolli kontribuoi që futbolli të zhvillohej në frymë sportiviteti e korrektësie.

Bedriu nuk u shqua vetëm në sport. Ai ishte edhe një mësues i përkushtuar, që për dekada u shërbeu gjeneratave të reja me dashuri dhe edukatë në shkollën fillore të qytetit të Podujevës, “Vëllazërim- Bashkim” ,tani “Shaban Shala.”

Sot, shumë ish-nxënës e kujtojnë si një mësues të drejtë, të dashur dhe inspirues. Z. Bashkim Idiz Shala, ish-nxënës i Bedriut , para 55 vjetëve thotë:” Bedriu ishte i hareshëm dhe gjithnjë i buzëqeshur, ai vazhdimisht na motivonte për përvetësim të dijes dhe angazhim në aktivitete të lira brenda dhe jashtë shkollës.”

Edhe në jetën private, Bedriu ishte një bashkëshort, baba, gjysh dhe vëlla i respektuar, që gëzonte respektin e të gjithëve. Ai mbeti shembull i njeriut fisnik, i cili gjithnjë diti të ndajë kohën mes familjes, profesionit dhe pasionit për sportin.
Ndarja e tij e parakohshme nga jeta ka lënë një zbrazëti të madhe në familje, te shokët dhe posaçërisht në komunitetin e sportit. Kujtimi për Bedriun – futbollist i dalluar, mësues i përkushtuar dhe arbitër i paanshëm  do të jetojë gjatë.

Jakup Gashi, Zyrtar i Lartë në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Podujevës, i ndau Bedri Muçollit mirënjohje për kontributin e tij në futbollin kosovar.

Familja Muçolli ishte shembull  i angazhimit aktiv në sport. Përveç Bedriut, që la gjurmë në futboll, vëllezërit e tij Hakiu dhe Besniku u dalluan në hendboll.

  • Hakiu ishte shtylla e Klubit Hendbollistik të Llapit, i cili garonte në Ligën e Parë të Kosovës.
  • Kurse, Besniku luajti me shumë sukses jo vetëm për Llapin, por edhe për Prishtinën, duke arritur të jetë pjesë e reprezentacionit hendbollistik të Kosovës. Ai duke treguar formë të shkëlqyer dhe nivel të lartë të lojës u bë një ndër figurat më të spikatura të këtij sporti.

Po ashtu, në KF “Llapi” kontribuuan edhe futbollistët Remzi dhe Basri Muçolli, kurse në hendboll Arsim Ali Muçolli. Ky fakt dëshmon se familja Muçolli ishte një çerdhe e vërtetë sportistësh dhe mësuesish elitarë.

Bedri Muçolli, i cili vdiq papritmas më 27 korrik 2024, do të mbetet shembull i njeriut fisnik, të përkushtuar dhe me vlera të qëndrueshme.

Lavdi jetës dhe veprës së sportistit, mësuesit dhe njeriut fisnik – Bedri Muçolli!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 5 tetor 2025

Të Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Postimet më të lexuarat
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img