Federata e Futbollit e Kosovës i është drejtuar Federatës së Futbollit të Spanjës, Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA) dhe Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) për sqarime, pasi Përfaqësuesja spanjolle e Futbollit e cilësoi Kosovën si “territor”.
Në llogarinë e saj në Twitter, Përfaqësuesja spanjolle ka shkruar më 9 mars se Spanja e fillon rrugëtimin e saj për kualifikime për Kampionatin Botëror me takimet “kundër Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”.
Ndeshja Spanjë-Kosovë është paraparë të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë referim si përpjekje të kotë dhe të padrejtë të “spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës, në ndeshjen e 31 marsit”.
“Presim përgjigje zyrtare nga Federata spanjolle sepse (shkrimi në Twitter) nuk ka qenë zyrtar, por ka qenë nga trajneri apo nuk e di se kush e ka shkruar. Kështu që kemi kërkuar nga UEFA që të bëjë presion që të ketë një deklaratë zyrtare nga Federata e Spanjës. Pastaj, ne do të veprojmë në përputhje me mundësitë që i kemi”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
UEFA: Çështja, nën juridiksion të FIFA-s
Deri më tani, UEFA dhe FIFA nuk i kanë kthyer përgjigje Federatës së Futbollit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga UEFA një koment lidhur me situatën e krijuar pas shkrimit të Përfaqësueses spanjolle të Futbollit në Twitter dhe reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
UEFA, në një përgjigje përmes postës elektronike, ka thënë që “ndeshja për të cilën bëhet fjalë bie nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye rregullohet nga rregulloret e FIFA-s”.
Ndërsa, FIFA nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, deri në publikimin e këtij teksti.
Në maj të vitit 2019, UEFA ka marrë vendimin që i detyron vendet që nuk e njohin Kosovën, të luajnë kundër skuadrës së kombëtares dhe klubeve të saja, si nikoqir – qoftë në shtëpi apo në terren neutral – dhe si mysafir.
Sipas këtij rregulli, të gjitha skuadrat, nga vendet që nuk e njohin Kosovën, qoftë në nivel kombëtaresh apo klubesh, përveç Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës – të cilat përbëjnë përjashtim për arsye sigurie – obligohen të luajnë kundër Kosovës apo klubeve të saj.
Salihu: Nuk do të lejojmë cenimin e simboleve
Gazeta spanjolle Marca ka raportuar se pozicioni i shtetit spanjoll ndaj Kosovës është që gjatë ndeshjes, flamujt e të dy vendeve nuk mund të shfaqen pranë njëra-tjetrës në Sevilla, dhe se “muzika e cila luhet nuk do të përshkruhet si himni kombëtar i Kosovës”.
Salihu thekson që Përfaqësuesja spanjolle në Futboll është e vetëdijshme që do të përballet me Kombëtaren e Futbollit të Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër. Kjo e fundit, sipas tij, nuk do të lejojë që të cenohen simbolet e saj edhe në rast se në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla, eventualisht paraqiten probleme për intonimin e himnit të Kosovës dhe paraqitjes së simboleve të Federatës së Futbollit të Kosovës në veshjet e futbollistëve të saj.
“Në asnjë moment nuk lejojmë që shenjat tona, simbolet tona dhe të gjitha ato që i kemi arritur si pjesë e barabartë në UEFA dhe FIFA, të na cenohen. Nuk do të lejojmë. Probleme duhet të ketë ai që nuk i ka respektuar rregullat, së pari e pastaj ne. Çfarëdo pasoja që të ketë edhe për ne, nuk besoj që ka dikush guximin që t’i përdhosë simbolet shtetërore. Ata (spanjollët) edhe ashtu kanë për të ardhur në Kosovës (në ndeshjen e kthimit). Kështu që janë absurde këto veprime që bëhen”, theksoi Salihu.
Në kualifikimet preliminare për Botërorin “Katar 2022”, Kosova garon në Grupin B, pjesë e të cilit janë edhe Spanja, Greqia, Suedia dhe Gjeorgjia.
Më 28 mars, Kosova do të jetë nikoqire e Suedisë. Ndërkaq, më 31 mars Kosova ndeshet me Spanjën si mysafire, në Sevilla.
Më 3 maj, 2016, Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota në Unionin e Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA). Dhjetë ditë më vonë, më 13 maj Kosova u anëtarësua, po ashtu me të drejta të plota, në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA).
Në vitin 2017, Ministria e Sportit e Spanjës, pati refuzuar fillimisht t’u japë viza anëtarëve të ekipit olimpik të Kosovës, për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare, të cilat u zhvilluan në Tarragona, në fund të qershorit të atij viti. Por, më pas Komiteti Olimpik spanjoll kishte dhënë vizat për delegacionin e Kosovës, gjë që edhe mundësoi pjesëmarrjen e olimpistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare.