Në Gjenevë u përkujtuan dëshmorët Kenan Halimi dhe Njiazi Azemi – lavdia e tyre jeton përtej kufijve të atdheut

- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës organizoi një Akademi Përkujtimore kushtuar dëshmorëve Kenan Idriz Halimi dhe Njiazi Azemi.

Programin e këtij solemniteti e prezantoi zonja Linda Rexhaj-Maliqi, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, Nasuf Nuhiu. Në fjalën e tij, ai tha se “edhe pse larg atdheut, ne mërgimtarët ndiejmë obligim moral dhe kombëtar për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.”

Më pas, mbi jetën dhe veprën e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorit të kombit, Kenan Halimi, foli veprimtari i hershëm i diasporës shqiptare në Gjenevë, Hajrush Sadiku, i të njëjtit trung familjar me familjen Halimi.

Sadiku e nisi kumtesën e tij me historinë e migrimit të hershëm të familjes Halimi në Zvicër. Ai theksoi se kjo familje atdhetare, e ndjekur vazhdimisht nga regjimi komunist jugosllav, u detyrua të largohej nga Kosova dhe të marrë rrugën e mërgimit.

Gjatë viteve ’80, nga kjo familje në Gjenevë emigruan Hysk, Jakup, Bastri, Idriz, Sabit dhe Shyqeri Halimi. Megjithëse jetonin larg atdheut, ata nuk e shkëputën asnjëherë lidhjen shpirtërore dhe kombëtare me Kosovën.

Në veçanti, Jakup Halimi u angazhua në veprimtari ilegale patriotike së bashku me figura të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Hydajet Hyseni, Kadri Abdullahu dhe Kadri Zeka.

Sadiku theksoi se demonstratat studentore të vitit 1981 ishin shprehje e pakënaqësisë së thellë politike, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Ai rikujtoi se ato protesta, të cilat nisën në Prishtinë dhe u përhapën pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, u shtypën me brutalitet nga regjimi jugosllav dhe veçanërisht nga aparati represiv serb, duke rezultuar me vrasje, burgosje dhe dënime të shumta ndaj studentëve, profesorëve dhe veprimtarëve shqiptarë.

Për shkak të angazhimit të tij patriotik, Jakup Halimi u arrestua nga UDB-ja jugosllave dhe u dënua me pesë vjet burg të rëndë. Edhe pas daljes nga burgu dhe kthimit në Gjenevë, ai nuk hoqi dorë nga ideali i lirisë dhe çlirimit kombëtar.

Në vazhdim, Sadiku foli për jetën e dëshmorit Kenan Idriz Halimi, i lindur më 6 prill 1978 në fshatin Skifteraj të Vitisë. Ai theksoi se Kenani, që në fëmijëri, ishte edukuar me frymë atdhedashurie nga gjyshi i tij Ferizi, i cili i kishte rrëfyer për vuajtjet, burgosjet dhe vrasjet që regjimi jugosllav ua kishte shkaktuar shqiptarëve që nga viti 1912 e deri në vitet ’80.

Deri në moshën 13-vjeçare, Kenani jetoi në Kosovë me nënën e tij, Zylfën, duke shpresuar se pas rënies së Murit të Berlinit edhe në Kosovë do të frynin erërat e demokracisë dhe lirisë. Mirëpo, në vend të përmirësimit, politika represive e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës u ashpërsua edhe më tej, duke krijuar rrethana të rënda politike, ekonomike dhe shoqërore për popullin shqiptar.

Më 1991, kur nisi vala e arrestimeve dhe e dhunës, Zylfja së bashku me fëmijët iu bashkua në Gjenevë bashkëshortit të saj, Idrizit.

Kenani, në atë periudhë nxënës i shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Skifteraj të komunës së Vitisë, ndarjen nga arsimtarët, shokët dhe shoqet e klasës e përjetoi me dhimbje të thellë dhe mall të pashuar për vendlindjen.

Megjithatë, ai shumë shpejt u integrua në mjedisin e ri. Mësoi gjuhën frënge, u kualifikua në hidraulikë dhe nisi të punonte në sipërmarrjen e njohur Kugler Bimetal SA në Gjenevë.

Ai veçohej si punëtor i palodhshëm dhe humanist. Kur nisi eksodi i shpërnguljes masive të shqiptarëve të Kosovës nga dhuna dhe represioni i regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, Kenani ndihmoi shumë të rinj në gjetjen e punës.

Mirëpo, duke parë se çfarë po ndodhte në vendin e tij, ai nuk ndiente qetësi. Në heshtje nisi të vepronte. Edhe pse ende nuk i kishte mbushur 20 vjet, bie në kontakt me Ismet Jasharin.

Më 28 korrik 1998, pa zhurmë dhe pa rënë në sy, Kenani mbërrin në qytetin Bajram Curri të Shqipërisë, ku fillojnë fazën e stërvitjeve ushtarake. Më pas, së bashku futen të armatosur në Junik. Përveç kësaj, ata furnizonin me armë edhe luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për shkak të disa obligimeve në vendin e punës, Kenani kthehet përkohësisht në Gjenevë. Ai takon drejtorin e ndërmarrjes ku punonte dhe, pa hyrë në hollësi, i thotë se duhet ta ndërpresë përkohësisht punën. Edhe pse shumë i ri, ai ishte jashtëzakonisht i shkathët dhe i vendosur. Shumë shpejt rikthehet në bazat ushtarake të UÇK-së në Kalimash dhe Babinë të Shqipërisë.

Kenani takon eprorët e karrierës, Gëzim Hazrollin dhe Enver Rrustemin, dhe nën udhëheqjen e tyre mëson njohuritë bazike dhe të domosdoshme ushtarake.

Më 27 nëntor 1998, së bashku me 140 bashkëluftëtarë të tjerë, edhe pse bora ishte mbi një metër dhe moti tepër i ftohtë, në stil skifterësh kalojnë malin e Pashtrikut. Pas 60 orësh ecjeje me armë mbi supe, në agimin e 30 nëntorit 1998, pa u diktuar nga forcat armike, arrijnë në vendin e quajtur Bërshanc të Suharekës.

Oficerët e UÇK-së, Osman Fondaj dhe Xhemë Karaxha, që në kontaktin e parë me Kenanin vërejnë seriozitetin dhe përgatitjen e tij të mirë fizike.

Ata vendosin që Kenani të veprojë në kuadër të Policisë Ushtarake në Kasterc, ku ndodhej Brigada 123 e Zonës Operative të Pashtrikut. Edhe sot banorët e këtij lokaliteti e kujtojnë me emocione humanizmin e Kenanit. Ai, me mjete vetanake, shumë herë kishte siguruar ushqime dhe veshmbathje për familje të shumta.

Madje, Kenan Halimi kishte krijuar një miqësi të veçantë dhe vëllazërore me Ilaz Bytyçin, në familjen e të cilit ishte strehuar gjatë kohës së luftës. Familja Bytyçi u bë për Kenanin jo vetëm strehë sigurie, por edhe vatër ngrohtësie, dashurie dhe përkujdesjeje njerëzore. Ata u kujdesën për të me përkushtim të rrallë, sikur ta kishin djalin e tyre. Për këtë humanizëm dhe bujari shqiptare, familja Halimi do t’u mbetet përjetësisht mirënjohëse familjes Bytyçi.

Kenani kontribuonte kudo që e kërkonte nevoja dhe fronti i luftës. Ai, së bashku me Mejdi Xhaferin dhe Astrit Alajn nga Drenoci i Deçanit, kalojnë në Togun e Tretë vëzhgues të Njësitit Diversant “Kitërrat”, një ndër njësitet më të guximshme dhe operative të UÇK-së, që udhëhiqej nga Blerim Kuçi.

Njësiti ku vepronte Kenan Halimi ndërmori aksione të suksesshme luftarake kundër forcave okupatore serbe në fshatrat Studençan, Semetisht, Dobërdolan, Samadrexhë dhe Peçan të Suharekës.

Kenani ishte tronditur thellë kur, në dyluftim me forcat armike, në altarin e lirisë ra bashkëluftëtari i tij, Mejdi Xhaferi nga Mirosala e Ferizajt. Gjatë kësaj beteje të ashpër, që kishte zgjatur rreth tetë orë, këta djem trima i kishin shkaktuar humbje të mëdha armikut dhe kishin dëshmuar trimëri të jashtëzakonshme.

Njësiti “Kitërrat”, ku vepronte Kenani, nga dita në ditë shënonte fitore të reja. Më 12 qershor 1999, ushtarët e këtij formacioni të dalluar nga Peçani kalojnë në qytetin e Suharekës.

Të nesërmen, të vendosur që triumfi të ndodhte, ata u sjellin debakël forcave serbe të vendosura në Stacionin Policor të Suharekës.

Në mëngjesin e 13 qershorit 1999, mbi çatinë e ndërtesës së stacionit të policisë në Suharekë valoi Flamuri i Arbrit me shqiponjën dykrenare.

Armiku, duke parë se kishte humbur luftën, gjatë tërheqjes nisi të godiste popullatën civile. Luftëtari Kenan Halimi, që nuk njihte frikën, duke u dalë në ndihmë qytetarëve të paarmatosur e duarthatë, në përballje me forcat armike goditet nga një plumb dhe bie heroikisht, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e popullit të tij.

Kenani nga qytetarët e Suharekës kujtohet me pietet dhe krenari. Në shenjë nderimi, shumë familje suharekase ua kanë vënë fëmijëve emrin e heroit Kenan Halimi.

Po ashtu, në parkun e qytetit është vendosur  një pllakë përkujtimore dedikuar këtij ushtari trim, që nderoi jo vetëm Suharekën, por mbarë Kosovën.

Heroi Kenan Halimi, që vërtet meriton të kujtohet dhe të nderohet përjetësisht, është nderuar edhe nga anamoravasit. Shkolla e fshatit në Skifteraj, ku Kenani lindi dhe kreu shkollimin fillor, mban emrin e tij.

Një ngjarje tjetër që tubon të rinjtë e Republikës së Kosovës është edhe turniri tradicional i futbollit “Kenan Halimi”. Ndërkaq, familja Halimi, me vetiniciativë dhe në nderim të birit të saj, në vitin 2023 themeloi shoqatën bamirëse “Kenan Halimi”, e cila është në shërbim të familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

Në vazhdën e nderimeve për figurën e tij, më 13 qershor të këtij viti, në oborrin e shkollës në Skifteraj që mban emrin e këtij të riu çlirimtar, do të ngrihet busti i tij – kontribut i qytetarëve të Vitisë.

Në kujtim të dëshmorit Halimi dhe të dëshmorëve të tjerë, një fjalë rasti mbajti edhe poeti dhe publicisti Avni Azizi.

Azizi, si një nga luftëtarët e parë të UÇK-së, nga rajoni i Anamoravës, bëri edhe një vështrim historik të ngjarjeve të zhvilluara në trojet shqiptare. Ai u përqendrua posaçërisht në themelimin e celulave të para të UÇK-së dhe përgatitjet ushtarake në Shqipëri në fillim të viteve ’90.

Ky manifestim u pasurua edhe me promovimin e librit të prof. dr. Xhevat Hasani, “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”.

Autori, para të pranishmëve, tha se hartimi i këtij libri i kishte marrë shumë kohë, pasi kishte hulumtuar dokumente të shumta, duke ardhur në përfundimin se promovimi i nocionit të “kombit kosovar” është qëllimkeq, sepse dëmton përpjekjet shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, zonja Nerxhivane Sejdiu-Ferati lexoi poemën “Vëllai im”, kushtuar heroit të kombit Kenan Halimi.

Ndërkaq, grupi i solistëve “Hareja” nga Gjeneva interpretoi këngën “Mora fjalë”, kushtuar legjendarit Adem Jashari. Interpretimi u prit me duartrokitje frenetike nga të gjithë të pranishmit.

Aktori Blerim Bunjaku recitoi poezinë “Bijtë e humbur”, kushtuar të gjithë atyre që armiku i masakroi dhe i la pa varre.

Në kuadër të kësaj akademie u prezantua edhe jeta dhe vepra e dëshmorit Njiazi Azemi. Nëpërmjet emocionesh dhe dhimbjeje, rrugëtimin jetësor të Njiaziut e rrëfeu vëllai i tij, Avni Azemi.

Në diskutimin e tij të shkurtër, por përmbajtjesor, ai tha:
“Ne humbëm anëtarin më të devotshëm të familjes, por fituam zemrat e të gjithë shqiptarëve.”

Avniu rikujtoi edhe thënien lapidare të heroit Njiazi Azemi:
“Më mirë në varr dhe në kujtesën e përjetshme të popullit, sesa i robëruar dhe i turpëruar nga armiku.”

Në këtë solemnitet morën pjesë edhe nëna e dëshmorit Kenan Halimi, si dhe familja e gjerë Halimi. Madje, Jakup Halimi, sot në moshë të shtyrë, evokoi kujtime nga koha e vuajtjeve në burgjet jugosllave.

Në fund, falë zemërgjerësisë së nënave dhe motrave shqiptare, u shtrua edhe sofra me ushqime tradicionale shqiptare. Me këtë rast, pjesëmarrësit bashkëbiseduan mbi sfidat dhe problemet e përditshme të jetës në mërgim.

ARIF EJUPI

Lajmi Fundit
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
Artikujt më të lexuar nga Mërgata
- Hapsirë reklamuese -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img