Pas konfirmimit të 2 mijë e 50 rasteve të reja me COVID-19, pritet që shumë shpejt të ketë ndryshim të masave antiCOVID.
Nga Ministria e Shëndetësisë sot kanë konfirmuar për lajmi. net se pritet të ketë ndryshime në masa.
“Ministri është në konsulta të vazhdueshme me ekspertët shëndetësorë dhe duke përcjellë situatën epidemiologjike, bazuar në rekomandimet e të cilëve, së shpejti do të dalim me masa të reja”, konfirmoi ai.
Ndërsa përpos kësaj tashmë është bërë e ditur se nesër pritet që të mblidhet Komiteti Ndërministror për të shqyrtuar këto masa.
Mbledhja është paraparë të zhvillohet në ora nëntë, kurse sipas KlanKosovës pritet që masat e reja të propozohen në këtë mënyrë:Gastronomia të punojë deri në orën 21.00.
Të bëhet kusht që të gjithë ata që hyjnë në Kosovë, të jenë me tre doza të vaksinës për Covid-19. Gjithashtu ora policore pritet të nis nga ora 22.00, megjithatë akoma nuk ka të konfirmuar zyrtarisht.
E në raportin e fundit të rasteve me koronavirus është theksuar se përpos 4 mijë e 50 rasteve në të njëjtën kohë nuk ka pasur të vdekur.
Ndryshe Ministria e Shëndetësisë në bazë të të dhënave të fundit nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka theksuar se së fundi janë kryer 9 mijë e 194 testime. Tani për tani në gjithë vendin janë 7 mijë e 266 raste aktive.
Tani për tani ora policore në vend është nga ora 00:00 deri në ora 05:00, por me gjasë qytetarët së shpejti do të kenë qarkullim të ndaluar që nga ora 21:00.
Kundër masave antiCOVID dhe caktimit të orës policore ishin pikërisht përfaqësuesit e gastronomisë ata që patën protestuar.
Se si do ta presin ata ndryshimin e radhës, mbetet të shihet gjatë ditëve në vazhdim. E përpos rasteve të shumta me koronavirus, Kosova po përballet edhe me rrezikun e rritjes së çmimeve në faturat e energjisë, në sezonin dimëror kur shumë prej qytetarëve ngrohen pikërisht me rrymë.





