Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak ka pritur në Bruksel grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për targat.
Lajçak ka publikuar fotografi nga takimi mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, teksa ka thënë se ata do të kenë takime në baza të rregullta, shkruan Reporteri.net.
“Këtë mëngjes në Bruksel mirëprita delegacionet e ekspertëve në takimin e parë të Grupit Punues për targat e veturave, siç jemi pajtuar më 30 shtator. Grupi që u kryesua nga këshilltarët e mi do të takohen në baza të rregullta. Unë besoj që ata do të prezantojnë gjetje konkrete për gjashtë muaj”, ka shkruar Lajcak.
Kujtojmë se më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e etiketave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.