13 C
Geneva
Thursday, April 18, 2024

Pikëpyetjet brenda LDK-së që mund ta çojnë vendin në zgjedhje

Matematika për presidentin, pikëpyetjet brenda LDK-së që mund ta çojnë vendin në zgjedhje.

Lidhja Demokratike ani pse ka marrë një vendim në organin kryesor të partisë, mund të mos jetë unike në ditën kur Vjosa Osmani pritet të votohet për presidente të vendit. Në opinion diskutohen emra të deputetëve të këtij subjekti që thuhet se nuk do të japin votën pro, e madje as nuk do të qëndrojnë në sallë.

Në seancën e të premtes në Kuvendin e Kosovës, pritet të betohen deputetët e legjislaturës së re, që fituan ulëse falë pozitave që u liruan pas emërimit në dikastere qeveritare. Pas këtij vendimi, në po të njëjtën ditë mund të thirret edhe seanca për presidentin.

Vjosa Osmani tashmë ka marrë premtimin nga kryesia e LDK-së se deputetët e këtij subjekti nuk do t’i bëjnë telashe për numra.
Megjithatë, në opinion po qarkullojnë disa emra si deputetë potencial që mund të veprojnë ndryshe nga vendimi i Kryesisë së LDK’së në ditën kur do të thirret seanca për presidenten, ani pse Lumir Abdixhiku ka bërë thirrje të gjithë deputetët ta respektojnë një qëndrim të tillë të partisë.

Bëhet fjalë për Agim Veliun, Driton Selmanajn dhe Avdullah Hotin, të cilët pritet të veprojnë ndryshe nga vendimi i partisë, marrë parasysh se kanë qenë protagonistët kryesor të përplasjeve me Vjosa Osmanin gjatë kohës sa kjo e fundit kritikonte partinë për prishjen e koalicionit me Albin Kurtin.

Madje Driton Selmanaj pati deklaruar se ” nominimi i Vjosa Osmanit për kryeministre ka qenë një prej vendimeve më të këqija të LDK’së që nga themelimi”.

Në pikëpyetje të madhe është edhe Behgjet Pacolli, si pjesë e grupit parlamentar të LDK’së, i cili ende s’ka treguar qëndrimin e tij final rreth çështjes së presidentit. Këtë pritet ta sqarojë pas takimit që do të ketë me Lumir Abdixhikun.

Këta emra janë pikëpyetjet brenda LDK’së të cilët mund ta çojnë vendin në zgjedhje duke mos marrë pjesë në procesin e votimit për president.

Pa pjesëmarrjen e këtyre deputetëve në votim, Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të kalojë në raundin e dytë, meqë me 58 votat e veta, 10 të minoriteteve joserbe dhe me vetëm me votat e mbetura të LDK’së, do t’i kenë në total 79 sosh, të pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, meqë brenda kutisë së votimit duhet të jenë plotë 80 vota.

Megjithatë mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i emrave të përfolur për çështjen e votimit të presidentit.

Vjosa Osmani nuk do t’i marrë dot as 19 votat e PDK-së pasi që ky subjekt politik ka një vendim të Këshillit Drejtuesit që thotë se nuk do ta përkrahin atë si kandidate për presidente.

As AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk do ta votojë Osmanin. Tetë deputetët e këtij subjekti nuk dihet as a do të qëndrojnë në sallë.

Osmanin për presidente nuk do ta votojnë as deputetët e Listës Serbe, të cilët e kanë dërguar Qeverinë Kurti në Kushtetuese, meqë ua ka ofruar vetëm një ministri.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Të Fundit
spot_img
Postimet më të lexuarat
spot_imgspot_img