Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, do të mbahet pas seancës për ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme, tha shefja e Grupit Parlamentar të partisë më të madhe në kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Në një konferencë për media, ajo tha se tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare që me procedurë të përshpejtuar të bëhen ndryshimet në këtë ligj, përmes së cilave synohet që diasporës t’u mundësohet votimi në ambasadat e Kosovës dhe nëse lejojnë afatet kohore, seanca për presidentin do të thirret të premten.
“Varësisht nga afatet kohore do të procedojmë me kërkesën e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit”, tha Kusari-Lila.
Ajo konfirmoi se për postin e presidentit tashmë janë siguruar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit dhe se për këtë post kandidojnë dy persona: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy këta kandidatë, ishin pjesë e Listës së Vjosa Osmanit, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në kuadër të Listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nga vullneti i shprehur i deputetëve të Republikës kemi konfirmimin se janë 80-të të vullnetshëm që të marrin pjesë në procesin e votimit. Përderisa, ne nuk mund të dimë saktë se çfarë do të ndodhë brenda orëve në vijim dhe a do të jenë të njëtit që do të qëndrojnë prapa konfirmimit të tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha ai.
Më herët gjatë së premtes, edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Kusari-Lila tha se procedimi i ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet para zgjedhjes së presidentit, nuk është shantazh për partitë e tjera, por mbajtje “e premtimit elektoral”.
“Në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, është e pashmangshme shkuarja në zgjedhje”, shtoi ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance plenare të mbajtur të premten, paralajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.
Ndërkaq, gjatë mbledhjes së kryesisë së kuvendit, ku po shqyrtohet kërkesa për Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, nënkryetari i kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se e kupton rëndësinë e reformës zgjedhore, por nuk pajtohet që kjo çështje të trajtohet me urgjencë, pa pasur mundësi që edhe institucionet e tjera, siç është Avokati i Popullit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile, të japin kontributin e tyre.
Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës, mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.
Si zgjidhet presidenti i Kosovës?
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Qëndrimi i opozitës për Osmanin
Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.
Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie, që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.
Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.
Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.
LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.