Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka siguruar as edhe një dozë të vaksinës kundër Covid-19.
Megjithatë nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Indeksonline se 360,000 vaksinat falas që u përfituan përmes mekanizmit COVAX, do të shpërndahen në Kosovë në periudhën mars-maj.
Datë të saktë se kur do të vijnë nga MSH-ja nuk dhanë.
“Kosova ka përfituar 360,000 vaksina falas nga mekanizmi COVAX (apo 720,000 doza). COVAX ka publikuar listën e shteteve në të cilat do t’i shpërndajë vaksinat për periudhën shkurt-maj 2021.
Gjatë kësaj periudhe (Mars-Maj) pritet që 100,800 vaksina nga 360,000 të shpërndahen edhe në Kosovë”.
Nga MSH-ja deklarojnë se kontigjentet e para prej 100,800 vaksinave do të jenë të prodhuesit Oxford Astra Zeneca, ndersa në kontigjentet përtej 100,800 pritet ketë vaksina edhe të prodhuesit Pfizer.
Përveç kësaj, Kosova pritet të marrë edhe 660,000 vaksina të Covid-19 përmes shtetit të Austrisë.
Ende nuk dihet se prej cilit prodhues do të jenë këto vaksina pasi që gjithçka varet prej nga i siguron Austria dhe kohës kur arrin t’i sigurojë.
Ndërsa me kompaninë Pfizer, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se përkundër marrëveshjes konfidenciale të nënshkruar në 7 dhjetor të vitit 2020, ende nuk janë përmbyllur çështjet.
Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro për sigurimin e vaksinave dhe përmbushjes së nevojave të tjera në luftën kundër Covid-19.
Ndryshe, gjendja me koronavirus në Kosovë vazhdon të jetë alarmante.
Që nga shfaqja e pandemisë në vend e deri më tani janë infektuar 74.748 persona, ndërsa 1.674 pacientë kanë humbur jetën.
Kurse numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 62.983 raste dhe numri i rasteve aktive është 10.091.