Kryeministri maqedonas: Bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk është ide e mirë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se një bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte ide e mirë.
Duke folur për “N1”, Zaev ka thënë se një bashkim kombëtar i shqiptarëve nuk është e ardhmja që e duan popujt në rajon sepse e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian.
“Një Evropë pa kufij në të cilën njerëzit bashkëpunojnë dhe komunikojnë dhe jam i bindur se këto ide janë nga individët që janë pakicë dhe s’kanë të ardhme”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse ka bashkëpunim më të madh rajonal, Evropa do t’i respektojë më shumë shtetet e Ballkanit.
Duke folur për problemet e kamotshme në Ballkan, Zaev ka thënë se edhe Serbia e Kosova kanë sfidat e tyre përballë, por ato mund të zgjidhen përmes dialogut e miqësisë.
Sa i përket përmirësimit të raporteve mes shteteve në rajon lideri i Maqedonisë ka shtuar se Shkupi po krijon marrëdhënie të mira me kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq duke u munduar të promovojë të gjitha rrugët e bashkëpunimit mes maqedonasve, shqiptarëve e serbëve. Në këtë pikë ka shtuar se pret që edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, t’u bashkohet liderëve në bisedimet “për të mirë të të gjithëve”, pasi të marrë udhëheqjen e shtetit të Kosovës pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas tij, iniciativa e “Mini-Schengenit” do të sillte të mira për të gjitha palët. Zaev ka deklaruar se një iniciativë e tillë do të afronte të gjithë rajonin drejt BE-së.
Diskutimet për bashkimin kombëtar mes shqiptarëve nisën që nga fushata për zgjedhjet e fundit nga akterë të shumtë në Kosovë. Pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, lideri i saj Albin Kurti u shpreh se aktualisht një gjë të tillë e pamundëson Kushtetuta e Kosovës.