Wettingen, Zvicër – 28 Nëntori është një datë e veçantë për të gjithë shqiptarët, një ditë që simbolizon historinë, lirinë, krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar. Kjo datë ka një domethënie edhe më të veçantë për komunitetin shqiptar në Wettingen të Zvicrës, pasi pikërisht më 28 Nëntor, 12 vite më parë, u hap Shkolla Shqipe në Wettingen, me iniciativën e LAPSH-it „Naim Frashëri” në Zvicër.
Hapja e kësaj shkolle në Ditën e Flamurit nuk ishte thjesht një përkim datash, por një simbolikë e bukur e përkushtimit për ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj shqiptarë që jetojnë dhe rriten larg atdheut.
28 Nëntori për shqiptarët lidhet me tri ngjarje me rëndësi të veçantë kombëtare: Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi në Vlorë; ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit të qëndresës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës; si dhe daljen publike në skenën historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 28 Nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt.
Prandaj, kjo datë përmbledh në vete tri ngjarje me peshë të madhe në historinë dhe kujtesën kombëtare shqiptare, duke e bërë 28 Nëntorin një ditë të krenarisë dhe bashkimit për të gjithë shqiptarët.
Në këtë përvjetor të 12-të, një urim i veçantë u drejtohet nxënësve të dashur të Shkollës Shqipe në Wettingen, prindërve dhe të gjithë atyre që ndër vite kanë kontribuar në mësimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare.
Urime, nxënës të dashur, 12-vjetorin e Shkollës Shqipe në Wettingen! Qoftë kjo shkollë gjithmonë vatër e dijes, gjuhës, kulturës dhe traditave tona kombëtare.
Ta ruajmë gjuhën e nënës, sepse ajo është rrënja dhe identiteti ynë. Fëmijët tanë duhet ta njohin gjuhën, historinë dhe prejardhjen e tyre, sepse vetëm kështu do të mbeten të lidhur me rrënjët e tyre shqiptare, kudo që të jetojnë.
Një komb, një gjuhë, një gjak, një flamur!
Për informata dhe kontakt me Shkollën Shqipe në Wettingen:
Tel.: +41 76 706 22 77





